Google njoftoi se ka nisur zyrtarisht lansimin e Gemini në Google TV Streamer, duke e zëvendësuar Google Assistant.
Sipas gjigantit të teknologjisë, ky ndryshim do t’u mundësojë përdoruesve të komunikojnë më natyrshëm me televizorin e tyre përmes zërit, duke kërkuar përmbajtje ose informacione në mënyrë më të avancuar.
P.sh, tani mund të bëni pyetje si: “Më pëlqejnë dramat, por gruas sime i pëlqejnë komeditë. Çfarë filmi mund të shohim së bashku?”
Përdoruesit mund të kërkojnë përmbajtje specifike si: “Çfarë ndodhi në fund të Outlander sezonin e kaluar?” ose “Cila është drama e re spitalore për të cilën po flasin të gjithë?”
Google thekson se Gemini për TV nuk kufizohet vetëm në argëtim. Përdoruesit mund t’i kërkojnë ndihmë për tema të ndryshme, njësoj si në telefonat e tyre.
Për shembull, mund të thoni: “Shpjego pse shpërthejnë vullkanet për fëmijën tim të klasës së tretë.”
Gemini mund të ndihmojë në mësime, si receta gatimi a projekte DIY, duke i udhëhequr përdoruesit me video përkatëse në YouTube.
Për të përdorur Gemini, shtypni butonin e mikrofonit në telekomandën e Google TV Streamer. Përditësimi do të shpërndahet gjatë javëve të ardhshme dhe do të jetë i disponueshëm për përdoruesit mbi 18 vjeç.
Ky hap vjen pas njoftimit të shtatorit, kur Google prezantoi Gemini në disa modele televizorësh TCL, dhe paralajmëroi mbërritjen e tij në Hisense U7, U8, UX 2025 si dhe TCL QM7K, QM8K dhe X11K 2025.
Gemini është i disponueshëm edhe në pajisjen Walmart Onn 4K Pro. Ky zhvillim është pjesë e strategjisë afatgjatë të Google për të zëvendësuar Google Assistant me Gemini në të gjitha platformat dhe pajisjet e saj. /A.Z/UBT News/
