Kosova është bërë territori më i ri në Ballkan që është përfshirë në shërbimin Google Street View, duke sjellë pamje 360-gradëshe të rrugëve, qyteteve dhe destinacioneve turistike në mbarë vendin.
Pas rreth dy vjetësh fotografime, Google ka publikuar pamjet e realizuara nga korriku 2025 deri në maj 2026, duke mbuluar pjesën më të madhe të territorit të Kosovës.
Pamjet përfshijnë qytetet kryesore si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj, si dhe shumë zona të tjera urbane e rurale.
Përdoruesit e Google Maps tashmë mund të eksplorojnë edhe destinacione turistike si Gryka e Rugovës, Parku Kombëtar i Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna, si edhe zona pranë kufijve me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas raportimeve, Google ka përdorur kamera të gjeneratës së katërt dhe, në disa raste, kamera portative për të realizuar fotografimet edhe në kushte të vështira atmosferike.
Publikimi i Google Street View konsiderohet një hap i rëndësishëm për promovimin e Kosovës në platformat digjitale dhe për rritjen e vizibilitetit të saj turistik dhe ekonomik./A.K/
