UBT News

Google paralajmëron për një kërcënim të ri kibernetik nga inteligjenca artificiale

Google ka njoftuar përdoruesit për një formë të re sulmesh kibernetike, të cilat shfrytëzojnë inteligjencën artificiale për të vjedhur të dhëna pa asnjë ndërveprim nga përdoruesi.

Ndryshe nga sulmet klasike që kërkojnë klikime në lidhje të dyshimta apo vizita në faqe mashtruese, kjo metodë e re përdor AI-në për të kryer veprime keqdashëse në mënyrë të padukshme.

Si funksionon sulmi?

Sipas postimit në blogun zyrtar të kompanisë, sulmet realizohen përmes “kërkesave indirekte” që manipulojnë sistemet gjeneruese të AI-së, të integruara në shërbime si email-i apo shtesat e shfletuesit. Kjo nënkupton se asistenti i Gmail përdoret për të dërguar mesazhe, ndarë kalendarin ose shpërndarë informacione personale – pa dijeninë e përdoruesit.

Metoda shfrytëzon mënyrën si AI përpunon dokumente që duken të sigurta. P.sh një dokument Google mund të përmbajë kërkesë të fshehur që mashtron inteligjencënpër të ekstraktuar e transferuar të dhëna në serverë të jashtëm, pa lënë gjurmë për përdoruesin.

Pse është i rrezikshëm ky kërcënim?

nuk kërkon instalim programesh keqdashëse,

nuk kërkon ndërveprim nga përdoruesi,

mund të mbetet i padukshëm edhe në regjistrat e aktivitetit.

Si të mbroheni?

Kompania rekomandon disa hapa për të reduktuar rrezikun:

tregoni kujdes me dokumentet dhe ftesat nga burime të panjohura,

shmangni shtesat e dyshimta të palëve të treta,

çaktivizoni veçoritë e panevojshme të AI-së,

kontrolloni rregullisht lejet dhe aktivitetin e llogarive Google.

Google kujton rëndësinë e praktikave bazë të sigurisë: përdorimi i fjalëkalimeve të forta dhe të ndryshme për çdo shërbim, aktivizimi i verifikimit me dy faktorë, si dhe vëmendja ndaj çdo njoftimi ose sjelljeje të pazakontë të llogarive.

Ky paralajmërim nënvizon rrezikun më të madh që paraqet përdorimi i AI-së e thekson nevojën për kujdes maksimal nga përdoruesit.

/A.Z/UBT News/

Exit mobile version