Të mërkurën Google zbuloi një linjë të zgjeruar të produkteve harduerike, një dëshmi se kompania dëshiron të shkojë përtej reklamimimit dhe të garojë me kompanitë sikurse Apple.
Në një konferencë që u mbajt fizikisht pas tri viteve, Google njoftoi rreth lansimit të tre telefonave të mençur, orës së mençur si dhe rreth planeve për lansimin e një tableti vitin e ardhshëm. Google po ashtu njoftoi rreth përditësimeve në disa prej mjeteve më të njohrua sikurse Maps, Google Translate dhe në makinën e kërkimit.
Tre telefona të mençur Pixel
Google befasoi fansat të mërkurën duke zbuluar dy pajisje të reja kryesore – Pixel 7 dhe Pixel 7 Pro. Ndonëse kompania nuk ka dhënë shumë detaje, dy telefonat e mençur pritet të dalin në treg këtë vjeshtë.
Google njoftoi gjithashtu edhe rreth planeve për lansimin e telefonit inteligjent Pixel 6a, një version më i përballueshëm i linjës së tij Pixel 6 të lëshuar në fillim të këtij viti. Pixel 6a mundësohet nga çipi i brendshëm Tensor i Google dhe do të dalë në treg në tri ngjyra – jeshile, e bardhë dhe e zezë. Telefoni do të kushtojë 449 dollarë dhe do të jetë i disponueshëm nga 21 korriku.
Pixel Watch
Në treg nuk mungojnë orët inteligjente Android, por Google po planifikon të prodhojë për herë të parë një orë inteligjente. Kompania ndau detaje rreth orës së mençur Pixel Watch, që do të përdorë sistemin operativ të Google, WearOS dhe do të jetë në pajtueshmëri me shërbime të tilla sikurse Google Assistant, Google Maps dhe Google Wallet. Ora do të dalë në treg në vjeshtë. Google po ashtu njoftoi rreth planeve për lansimin e Pixel Tablet, që sipas kompanisë do të lansohet në vitin 2023./UBTNews/