Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola ka deklaruar se dramës shoqërore të grevës po i vije fundi. Ai tha se po mirëpresin që Sindikata e Bashkuar e Arsimit t’i kthehet dialogut të brendshëm dhe të pezullohet greva.
Sipas tij, nga greva në arsim duhet që të gjithë akterët të marrin mësimet dhe të diskutohet legjitimiteti i paralizimit total të institucioneve arsimore si metodë e grevës.
Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës në seancë plenare, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Ardian Gola ka folur për grevën në arsim dhe mundësinë që kjo së shpejti të përfundojë.
“Duket se dramës shoqërore të grevës po i vije fundi. Një dramë me shumë aktorë, nga presidentja e Republikës, Ombuspersoni, Komisioni për Arsim e deri tek prindërit të cilët ofruan kontributet e tyre për tejkalimin e një ngërçi më shumë se njëmujor. Të gjithë sot mirëpresim vendimin e sindikatës që të reflektojë dhe të rimendojë pozicionin e vet sindikal duke iu kthyer dialogut të brendshëm dhe për të mundësuar dialogun e brendshëm social”, ka deklaruar Gola.
Kryetari i Komisionit për Arsim ka shtuar se me ndaljen e grevës fitojnë të gjithë dhe nuk humb askush. Ai e ka quajtur të pakuptimtë që zjarrfikësve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u mohohet ligjërisht e drejta e grevës. Por, siç tha Gola, punonjësve të arsimit u lejohet ndërprerja e plotë e çdo aktiviteti.
“Një gjë tjetër që duket që po bëhet dramë sociale është logjika qeverisëse e cila këmbëngul në trajtim të barabartë të gjithë punëtorëve dhe qytetarëve duke mos privilegjeruar dikë vetëm që ka mjete më të fuqishme presioni. Ngase argument në këto zhvillime nuk mund të jetë forca e presionit në përballje por forca e argumentit në dialog. Nga kjo grevë do të duhej që si politikë, si sindikatë, si shoqëri në përgjithësi të marrim mësime të duhura. Dhe është momenti i fundit ku duhet rimenduar seriozisht dhe të diskutohet gjerësisht legjitimiteti i paralizimit total të institucioneve arsimore, si metodë e grevës. Dhe duhet përpjekur që të gjenden metoda të tjera të presionit sindikal, të cilat do të ishin po aq të efektshme në mbrojtjen e interesave të kësaj kategorie punonjësish buxhetor”, ka shtuar ai.