Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus pas vizitës së tij në Sarajevë dhe Prishtinë, ka deklaruar se veprimet pakoordinuara, veçanërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila minon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë dhe rrit rreziqet me të cilat përballen trupat e KFOR-it.
Në një deklaratë të lëshuar për media, Goffus ka theksuar se është thelbësore që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet në pritje.
“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese pa vonesë. Siç e kemi parë, veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, veçanërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila minon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë dhe rrit rreziqet me të cilat përballen trupat e KFOR-it. Më 29 maj 2023 në Zveçan, ushtarët e NATO-s pësuan sulme të paprovokuara dhe të papranueshme, duke lënë 93 prej tyre të plagosur, disa prej tyre rëndë. Kjo është e papranueshme. Presim që përgjegjësit për ngjarjet e vitit të kaluar në Zveçan, si dhe në Banjskë, të mbajnë përgjegjësi. NATO-ja e ka bërë shumë të qartë këtë si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë. Përsëri, veprimet e pakoordinuara dhe afatet kohore joreale, së bashku me retorikën përçarëse, nxisin tensione që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë”, tha ai.