UBT News

Goditet një rast i organizimit të lotarive të palejuara, dy të arrestuar, një në kërkim

Dy persona janë arrestuar në Koplik të Malësisë së Madhe, një është shpallur në kërkim, ndërsa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë.

Policia ka informuar se shtetasi S. Z., 22 vjeç, banues në Koplik, është arrestuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, ndërsa, Sh. B., 34 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të veprimeve, sipas Policisë është shpallur në kërkim pronari i lokalit, shtetasi L. G., 25 vjeç, banues në fshatin Jubice, Malësi e Madhe, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”.

“Gjithashtu u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. H., 45 vjeç, banues në Bogiq, Malësi e Madhe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në Koplik, në ambientet e lokalit me administrator shtetasin L. G., janë gjetur 1 tavolinë pokeri, 5 makineri elektronike për lojëra fati, një valixhe me çipsa që përdoren për lojëra fati, letra bixhozi dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, ka informuar Policia.

Materialet iu kanë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Exit mobile version