UBT News

GLPS: Ka ngecje në sundimin e ligjit në Kosovë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka publikuar të premten raportin e vlerësimit të sundimit të ligjit në Kosovë. Sipas këtij raporti, në sektorin e drejtësisë s’ka përmirësime evidente nga vitet e kaluara, ndërsa ka ngecje edhe në performancën e institucioneve përgjegjëse për sundim të ligjit dhe zbatimin në praktik të ligjeve.

Në konferencë për media, Donika Çeta nga GLPS tha se raporti mbulon periudhën maj-tetor 2022 në pesë kategori, atë të ligjshmërisë, sigurinë juridike, parandalimin e abuzimit, barazinë para ligjit dhe qasjen në drejtësi.

“Kosova vazhdon të ballafaqohet me sfida dhe vështirësi në sektorin e sundimit të ligjit edhe pse Kosova ka një legjislacion të harmonizuar dhe është mirë me përmbushjen e standardeve të BE-së, sfidë mbetet zbatimi i tij në praktik. Ky vlerësim nuk paraqet ndonjë ndryshim nga vlerësimet e kaluara. S’ka përmirësime evidente, madje na paraqitet një rënie e lehtë e rezultatit krahasuar me atë të periudhës paraprake. Sfidat dhe probleme na paraqiten në secilën prej shtyllave të kontrollit të sundimit të ligjit”, tha ajo.

Sipas saj, nota mesatare për sundim të ligjit në Kosovë është 53.24 për qind.

“Nota mesatare e përmbushjes për Kosovën ka shënuar 53.24 për qind që do të thotë se Kosova ka shënuar përsëri një notë mbi notën kaluese, që nuk ka dallim me vlerësimin e periudhës paraprake. Nga pesë kategoritë e vlerësuara, kategoria barazia para ligjit ka shënuar përsëri pikët më të larta me një rezultat prej 70 për qind, por krahasuar me vlerësimin e kaluar ku kishte shënuar një rezultat prej 80 për qind, kjo kategori ka pësuar rënie. Në anën tjetër, kategoria parandalimi i abuzimit të pushtetit, shënoi përsëri rezultatin më të ulët, duke shënuar 37.5 për qind përmbushje, pa pësuar ndryshim të pikëve nga vlerësimi i kaluar. Të gjitha kategoritë e tjera, ligjshmëria 44.28 për qind, siguria juridike 56.25 për qind, qasja në drejtësi 58,2 për qind shënuan një rezultat mesatar që është analizuar në këtë raport”, shtoi ajo.

Çeta përmendi edhe disa të meta nga ekzekutivi për sundimin e ligjit, të cilat sipas saj janë vonesat në miratimin e ligjeve dhe ndryshimi i disa prej ligjeve pa konsultim publik.

Ajo rekomandoi që të nxitet Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial për transparencë dhe llogaridhënie dhe që institucionet publike të sigurojnë gjithmonë konsistencë mes ligjeve, përfshirë edhe aktet nënligjore me Kushtetutën.

Exit mobile version