Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Kosovës, të cilës i është refuzuar kompensimi për personin paraplegjik dhe tetraplegjik gjatë procedurës së rivlerësimit, kanë paraqitur padi për konflikt administrativ. Kjo padi është paraqitur kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Sipas një njoftimi të GLPS-së, paditëses së dëmtuar i është refuzuar ankesa për rishqyrtim të vendimit, me të cilin është kategorizuar në Grupin e Dytë dhe i është mohuar e drejta për shoqërues.
“Ky vendim i nxjerrë nga Divizioni i Skemave Pensionale është marrë në procedurë të rivlerësimit që bëhet nga Komisioni Vlerësues çdo pesë vite në bazë të aktit nënligjor që buron nga Ligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik. Në këtë rast, Vlerësimi i Komisionit Vlerësues nuk është bërë në bazë të ekzaminimit të duhur të pacientës, as në bazë të dokumenteve mjekësore, e as në bazë të Raportit Konziliar të lëshuar nga Klinika e Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, thuhet në komunikatën e GLPS-së.
Më tej thuhet se sipas raportimeve të fundit nga mediat, ka pasur shumë raste kur personat që kanë kaluar në procedurë të rivlerësimit janë trajtuar padrejtësisht nga Komisioni Vlerësues duke mos marrë për bazë rekomandimet e mjekëve, situatën reale të personit dhe duke mos ju kushtuar kohë të mjaftueshme për vlerësim.
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dhe qytetarja e dëmtuar synojnë që ky rast të trajtohet me prioritet dhe të anulohet vendimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe kjo ministri t’i ndërmerr të gjitha masat që legjislacioni të zbatohet dhe se qytetarët, sidomos personat me aftësi të kufizuar të trajtohen në mënyrë të barabartë duke ju njohur të drejtat të cilat ju takojnë.