UBT News

‘Global UBT Fest 2021’ po vjen

UBT hap zyrtarisht regjistrimet për festivalin akademik të dijes “Global UBT Fest 2021”

Festivali më i madh akademik i dijes në Evropë, “Global UBT Fest 2021” po vjen edhe këtë verë, me shumë aktivitete të larmishme, me qëllim ngritjen e dijes, inovacionit dhe zhvillimit.

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, hapi zyrtarisht regjistrimet për këtë ngjarje madhore akademike, e cila që do të ketë më shumë se 30 shkolla ndërkombëtare verore, forume, simpoziume, samite, gara e aktivitete kulturore-artistike.

“Sot po e bëjmë hapjen e thirrjeve për aplikim për ‘Global UBT Fest 2021’, i cili është festivali më i madh i dijes në Evropë, që përmban shumë aktivitete në fusha të ndryshme të jetës”, është shprehur rektori Hajrizi.

Ai tha se ky festival do të jetë i shtrirë në të gjitha qendrat e UBT-së, me një sërë aktivitetesh që do të kontribuojnë në zhvillimin e reziliencës, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Ky festival i cili kap përmasa globale, do të sjellë në Kosovë ekspertë, artistë, si dhe studentë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke e forcuar imazhin e Kosovës në aspektin global”.

“Festivali do të mbahet në formë të kombinuar, duke synuar që më shumë të mbahet në formë fizike, varësisht prej situatës me pandeminë”, u shpreh ai.

Global UBT Fest është një pjesë integrale e  UBT-së. Mijëra njerëz bëhen pjesë e ligjeratave të zhvilluara nga Akademitë Verore dhe po ashtu marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të tilla si forume, samite, gara, punëtori,  dhe ngjarje të tjera. Akademitë Verore organizohen nga po ato Fakultete që ofrojnë mësim gjatë vitit akademik në UBT.

Global UBT Fest është krijuar për të përmbushur nevojat e studentëve, mësimdhënësve/profesorëve në të gjithë botën dhe individëve të cilët kërkojnë mundësi të ngritjes personale dhe profesionale  në disiplina të ndryshme. Studentët nga UBT dhe nga institucione të tjera mund të përfitojnë nga Global UBT Fest duke përmirësuar njohuritë e tyre paraprake ose fitojnë njohuri të reja në zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm. Ata që nuk dëshirojnë të ndjekin Akademitë Verore por të marrin pjesë vetëm në aktivitete të tjera, për qëllime të përgjithshme, janë gjithashtu të mirëpritur të marrin pjesë.

Kreditë (ECTS-të) e fituara në Akademitë Verore mund të ekuivalentohen dhe të njihen në UBT ose universitete të tjera, nëse ndiqen rregullat dhe plotësohen të gjitha kushtet.

Festivali më i madh akademik i dijes “Global UBT Fest 2021” do të mbahet nga 1 korrik deri më 31 korrik, dhe do të jetë falas për të gjithë pjesëmarrësit e interesuar.

Apliko tani: Regjistrimet për “Global UBT Fest 2021”

Exit mobile version