Sot në Kosovë do të arrijnë 515 mijë doza të vaksinës Pfizer, të cilat janë siguruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga Ministria e Shëndetësisë.
Në ceremoninë e pranimit zyrtar të vaksinave do të dalin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
“Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës do të mbahet sot ceremonia e pranimit të 515 mijë e 970 dozave të vaksinës Pfizer, të siguruara nga Presidenti i ShBA, Joe Biden për popullin e Kosovës, të cilët në vendin tonë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX. Në ceremoninë pranimit zyrtar të këtij donacioni nga ShBA-të për Kosovën do të marrin pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ambasadori i ShBA në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, shefja e UNKT, Ulrika Richardson dhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi. Ceremonia fillon në ora 14:00 në IKShPK”, thuhet në njoftim.