Një valë e re thatësire ka përfshirë Evropën dhe rajonin e Mesdheut, me 52% të tokës të prekur në fillim të korrikut, sipas të dhënave të Observatorit Evropian të Thatësirës. Kjo është përqindja më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë që prej 2012.
Evropa Lindore është më e prekur, me Kosovën, Serbinë dhe Bullgarinë që përjetojnë ndikimin më të madh, në disa zona deri në 100% të territorit.
Në Bullgari, thatësira ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë për mbi 156 mijë banorë.
Në Hungari, 47% e tokës është në nivel paralajmërimi, në Mesdheun Lindor, si në Armeni (95%) dhe Turqi (77%), situata është rënduar edhe nga zjarret.
Në Siri, thatësira kërcënon prodhimin e grurit, duke vënë në rrezik ushqimor mbi 16 milionë njerëz, ndërsa Perëndimi i Evropës përjeton një situatë më të përzier, Franca, Britania dhe Italia kanë raportuar rritje të ndjeshme të tokës së prekur, ndryshe nga Spanja dhe Portugalia, ku përqindjet mbeten minimale.
Kjo valë e re ngre sërish alarmin për ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe pasojat e tyre në sigurinë ushqimore dhe furnizimin me ujë.