Qendra AIRE dhe Nisma Rajonale Kundër Korrupsionit ka mbledhur në Prishtinë, gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë dhe bashkëpunëtorë të institucioneve gjyqësore nga Ballkani Perëndimor.
Ky takim është pjesë e projektit “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal për kthimin e pasurive”.
Koordinatorja Kombëtare e Projektit të Kthimit së Pasurive e Qendrës AIRE në Kosovë, Ganimete Ismajli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal lidhur me shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.
“Ky projekt i mbulon disa juridisksione duke përfshirë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë, Shqipërinë, Moldavinë, Serbinë, Kroacinë dhe Rumaninë. Sot, pra ekspertët e këtyre juridiksioneve janë mbledhur bashkë në Kosovë. E të cilët do të diskutojnë për sistemet statistikore. Përkatësisht për sisteme statistikore, të cilat kanë të bëjnë me konfiskimin e pasurisë”, tha ajo.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se në takimin e sotëm do të prezantojnë punën e tyre njëvjeçare për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Meqë rast do të shkëmbejmë përvojat e përbashkëta si shtet fqinj në kuadër të bashkëpunimit rajonal në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Sallahu.
Eksperti i këtij projekti nga Bosnja, Eldan Mujanoviq theksoi se në takimin e sotëm me ekspertë rajonalë do të shohin mundësitë për të përmirësuar juridiksionet në fuqi.
“Synimi është që të këmbejmë informacione, përvoja dhe si është mënyra më e mire që të zbatohen praktikat e mira nga BE-ja dhe direktiva e BE-së, e cila përcakton disa prej standardeve përkatëse në këtë fushë. Është një mundësi shumë e mirë për të bërë bashkë hisedarët nga rajoni, duke i përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut. Kemi shumë praktika të mira, por ka shumë hapësirë për përmirësim në të gjitha juridiksionet tona dhe nga gjitha organet e përfshira”, u shpreh ai.
Ky projekt është zbatuar nga Qendra Këshillim për të Drejtat Individuale në Evropë (Qendra AIRE) në bashkëpunim me Sekretariatin e Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), me financim të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.