Avokatët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pajtuar që deklaratat hyrëse në procesin gjyqësor Thaçi dhe të tjerët, të bëhen më datë 3 prill 2023. Kështu ka bërë të ditur mbrojtja e Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, gjatë konferencës përgatitore për prokurorinë në Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë.
Pasi edhe nga prokuroria e kanë konfirmuar një gjë të tillë, avokati Roberts ka thënë se tashmë i mbetet trupit gjykues të marrë vendim për këtë.
“Kemi diskutuar ndërmjet ekipeve të mbrojtjes për nisjen e procesit gjyqësor, megjithatë ne patëm mundësi të arrijmë një pajtim ose të paktën nuk kemi pasur kundërshtim nga prokuroria për faktin që të fillojmë më datën 3 prill me deklarata hapëse. Pra, po ashtu kemi marrë edhe njoftimin që ka të bëjë më 12 dëshmitarët e parë, ndërkohë prokuroria nuk e kundërshton këtë pozicion tonin, kjo pjesërisht reflekton kalendarin. Pra, propozimi ynë është të fillojmë më datën 3 dhe me urdhrin për 12 dëshmitarët dhe shpresojmë që ky do të jetë një pozicion që do të jetë i pranishëm për turpin gjykues”, ka thënë Roberts.
Në konferencën përgatitore për prokurorinë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë.
Aty ZPS ka deklaruar se nuk ka ndërmend të zvogëlojë akuzat në këtë moment kohor derisa ka shtuar se synon të paraqes prova lidhur me çdo vend të pretenduar krimi.
Ndërsa, trupi gjykues edhe njëherë ka shprehur shqetësimin lidhur me kohën që ka kërkuar prokuroria për çështjen e saj dhe që arrin deri në 700 orë.
Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet të fillojë në këtë pranverë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.