Dy javë para fillimit të gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trupi gjykues ka kërkuar edhe njëherë nga palët që të reduktojnë kohën e paraparë për paraqitjen e provave. Deri tani, prokuroria ka njoftuar se do t’i ketë 312 dëshmitarë dhe sipas trupit gjykues del se do të duhen gjashtë vjet e gjysmë për t’i përfunduar ata.
Kryetari i turpit gjykues, Charles L. Smith ka thënë se kjo periudhë është e tepërt.
“Bazuar në informacionin që na është paraqitur dhe faktin që kemi 312 dëshmitarë, që është numri i fundit që na ka raportuar ZPS, përfshirë pyetjet nga pala kundërshtare, i bie që duhen 6.5 vite për t’i përfunduar, turpi gjykues mendon se 6.5 vite vetëm për provat e ZPS-së është e tepërt, e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë përpara dhe kemi thënë që ZPS të reduktojë përmasën e provave të veta dhe turpi gjykues mendon që edhe mbrojtja duhet të reduktojë kohën që i nevojitet për të kundër-pyetur dëshmitarët”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
Ai ka thënë se prezantimi i provave nga prokuroria mund të zgjasë më shumë se që është parashikuar.
“Trupi gjykues e ka parasysh se përllogaritja e ZPS-së është një faktor që shërben në tërësi për këtë çështje, sidoqoftë, nëse nuk ka kundërshtime nga turpi gjykues është që evidencat e 12 dëshmitarëve të parë parashikohen të zgjasin rreth 234 orë, që është më shumë se 35 ditë në gjykatë. Kjo do të thotë se prezantimi i provave nga ZPS mund të zgjasë më shumë se që ka parashikuar në fakt ZPS. Nëse përdorin këtë përllogaritje, atëherë shtatë dëshmitarët e parë do të mbarojnë para pushimit të gjykatës pastaj do vazhdonim me dëshmitarët e tjerë por nuk do të mbaronim do t para shtatorit apo tetorit 2023. Nëse përdoren të njëjtat vlerësime kohore për paketën tjetër të 12 dëshmitarëve i bie që paketa e dytë të mbarojë rreth janarit 2024 dhe ngelen pastaj janari, shkurti dhe marsi për të përfunduar vitin e parë dhe trupi gjykues vlerëson se nëse janë tolerantë në qasjen e tyre do të dëgjonim rreth 46 dëshmitarë në vit me këtë përllogaritje”, ka shtuar kryetari i turpit gjykues.
Ndërsa, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se synojnë t’i rishikojnë përllogaritjet kohore për 12 dëshmitarët e parë.
“Dëshmitarët e parë na japim informacion të rëndësishëm për të parë pastaj nëse mund të paraqesim dëshmitarë të tjerë me shkrim apo mund t’i heqim tërësisht. Kemi prova të mëdha sa i takon komunikatave të UÇK-së, kemi vet komunikatat, kemi deklarata që janë bërë në shtyp, kemi dokumente nga të akuzuarit, kemi deklarata nga të akuzuarit, kemi dëshmitarët brenda dhe jashtë UÇK-së që flasin rreth këtyre, siç e kuptojmë ne që në fakt u habitëm, autenticiteti i komunikatave të UCK-së po kundërshtohet nga mbrojtja, prandaj ne na duhet ta vërtetojmë këto, por kjo nuk do të thotë që domosdoshmërisht duhet të paraqesim të gjitha provat që kemi për ta vërtetuar dhe kur të paraqesim provat e para, me dëshmitarët e parë, do të bëjmë edhe përshtatje sipas nevojave në momentin që ne do të konsiderojmë që është vërtetuar ky aspekt”, ka thënë prokurori Matthew Holling.
Në anën tjetër, avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se do të përpiqen të shkurtojnë kohën e tyre, por sipas tij, kjo varet nga ajo çka thonë dëshmitarët.
“Nëse shikojmë dëshmitarit 3, për të cilin ZPS na ka dhënë me qindra e me qindra faqe dhe kanë vendosur ta marrin në pyetje të drejtpërdrejta dhe ai zgjatë dhjetë orë, tani unë nuk e di çfarë do të dalë e re në këtë dhjetor por sigurisht që edhe kundër-pyetjet do të jenë të gjata, sepse ne nuk e dimë çfarë do të bëjnë këta, dhe kjo vlen edhe për dëshmitarin 7, kanë përcaktuar 12 orë për dëshmi dhe kemi pastaj dëshmitarin dhjetë për të cilin ka nëntë orë, edhe për dëshmitarin 7 dhe 10 janë me qindra dokumente dhe kur shikoj dosjen me informacione është e vështirë. Ne nuk e dimë çfarë do të thonë, a do të thonë ndonjë gjë që nuk ka lidhje me atë që i kanë dhënë me shkrim ZPS-së, a do të thonë diçka të re, a do të dalë ndonjë informacion i ri nga këta persona”, ka thënë avokati Kehoe.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se kanë parashikuar rreth 25 orë për 12 dëshmitarët e parë.
“Koha totale e parashikuar për 12 dëshmitarët e parë është aktualisht 25 orë e gjysmë. Ju duhet të kuptoni që kur kemi dhënë këto llogaritje ne jemi fokusuar të shikojmë se sa mund të jetë limiti, maksimumi, dhe jo një përllogaritje reale kjo. Sigurisht jemi përpjekur sa më real, sigurisht ne mund të shtojmë edhe pesë orë e gjysmë për dëshmitarin 2, mund të shkurtojmë një ose dy orë, për dëshmitarët 3 mund ta reduktojmë nga pesë orë në tre orë, për dëshmitarin 4 nga dy orë në një orë, por ju lutem keni parasysh kjo është një përllogaritje, dëshmitarët 5,9 dhe 11 mund ta reduktojmë me gjysmë orë dhe për dëshmitarin 12 me një orë e gjysmë për kundër-pyetjet”, ka thënë Emmerson.
Por, sipas avokatit Geoffrey Roberts, i cili mbron Rexhep Selimin, përmbledhjet e dëshmitarëve që po i paraqet prokuroria përfshijnë aspekte që janë jashtë kuadrit të aktakuzës.
“Përmbledhjet e dëshmitarëve që po paraqet prokuroria lidhen dhe përfshijnë shumë aspekte që sipas nesh janë jashtë kuadrit të aktakuzës. Dëshmitari i dytë synon të paktën sipas prokurorisë, duan të japin prova për incidentet që kanë ndodhur goxha kohë pas periudhës së aktakuzës ne mendojmë se këto nuk janë prova që kanë lidhje me këtë çështje gjyqësore dhe për t’u treguar si ndikon kjo në kundër-pyetjet tona aktualisht kemi përllogaritur 4 orë për kundër pyetjet për këtë dëshmitar. Unë sugjeroj që nëse prokuroria nuk do të lejohet t’i paraqes provat si prova kryesore për këtë dëshmitarë, atëherë do ta përgjysmojmë edhe ne kohën tonë. Prandaj po them që shkon përtej kuadrit të aktakuzës”, ka thënë mbrojtja e Selimit.
Ndërsa, mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aydan Elis ka thënë se mënyra për të shkurtuar kohën është që prokuroria të thërras më pak dëshmitarë.
“Që nga seanca e fundit që patëm ne me ju i nderuar gjykatës, na u nxorën edhe 38 paketa të tjera materialesh që do të thotë po na vinë materiale të tjera dhe jemi ende duke punuar. Përllogaritja që kemi dhënë ne ka qenë përllogaritja më e mirë që mund të bënim atë kohë, nëse mund ta reduktojmë do të bëjmë të pamundurën. Prokuroria mund të thërras më pak dëshmitarë dhe kështu mund të shkurtojmë”, ka thënë avokati Elis.
Lidhur me kohën e gjatë që parashihet të marrë ky gjykim, avokati Ben Emmerson ka thënë se ka kohë që e kishte paralajmëruar një situatë të tillë.
“Sigurisht ne do të përpiqemi të reduktojmë sa më shumë kohën që të përpiqemi të mos e zvarrisim shumë këtë gjykim por në momentin që do të fillojmë këtë rrugëtim të gjatë me prokurorinë në këtë gjykim, dhe pavarësisht të dhënave që na ka dhënë prokuroria, kush e di sa herë prokuroria ka dhënë premtime që nuk i ka mbajtur, në momentin që do e nisim këtë rrugëtim unë besoj që vërtetë do të vijë një kohë kur turpi gjykues do të thotë që po e teprojmë shumë. Por unë kam kohë që e kam paralajmëruar këtë situatë dhe zvarritjet që do të kemi”, ka thënë Emmerson.
Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues ka thënë se do të kufizojnë kohën, nëse vlerësojnë se ka materiale apo pyetje të tepërta nga palët.
“Do t’i marrim parasysh sugjerimet tuaja dhe arsyetimin tuaj, nëse mendojmë që po japim materiale të tepruara apo ka pyetje të tepërta nga të dyja palët, ne do të ndërmarrim masat që gjykojmë ne se janë të nevojshëm për ta përfunduar këtë pjesë, dhe sigurisht ne duhet të kemi parasysh një kohë të arsyeshëm, ju besoj që i njihni metodat që ka turpi gjykues, rregulloren, thanë që do të fillojmë çështjen do të shohim çfarë metodash ekzistojnë, do të ju ndjekim kur të bëni pyetjet por nuk do të hezitojmë të kufizojmë si mbrojtjen si ZPS-në sa i takon kohës që është alokuar të dyja palëve”, ka thënë gjykatësi Smith.
Ndërkaq, nga mbrojtësi i viktimave është thënë se nuk mund të reduktojnë kohën e paraparë për pyetjet e tij, që është rreth 2 orë.
Gjykimi i madh do të fillojë më 3 prill në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Në paraqitjet e tyre para gjykatësit e procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.