Gjykimi ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Salih Mustafës, do të fillojë të mërkurën, më 15 shtator. Ky gjykim është i pari nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.
Seanca pritet të fillojë nga ora 09:30 dhe pritet të zgjasë deri në ora 17:30. Kështu u bë e ditur nga kalendari i publikuar i Dhomave të Specializuara.
Më 12 qershor 2020 u konfirmua aktakuza ndaj tij, ndërkaq arrestimi i tij u bë më 24 shtator. Ai i kishte mohuar këto aktakuza.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar. Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. Informacioni për datën dhe orën e paraqitjes së parë të Salih Mustafës para gjykatësit të procedurës paraprake do të njoftohet më vonë. Paraqitja e parë do të bëhet në seancë publike dhe mund të ndiqet në transmetim me video përmes faqes së internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”.