Dëshmisë së dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin kundër Pjetër Shalës, i ka ardhur fundi. Intervistimi i tij pritet të përfundojë sot ndërsa dëshmia e tij, e cila ka zgjatur pesë ditë, është dhënë kryesisht në seanca të mbyllura për publikun.
Pas përfundimit të pyetjeve nga Prokuroria dhe mbrojtja e Shalës, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka parashtruar pyetje për dëshmitarin në seancë private, por gjykatësi Zhiliber Biti ka folur në seancë publike. Megjithatë, përgjigjet e dëshmitarit të mbrojtur në të shumtën e rasteve janë redaktuar.
Gjykatësi Biti u interesua për situatën e përgjithshme në fabrikën e metalit në Kukës, derisa ka përmendur edhe një vizatim për të cilin dëshmitari është marrë në pyetje, sidomos në ditën e parë të dëshmisë së tij.
Biti e ka pyetur dëshmitarin e shtatë për deklaratën e tij në të cilën kishte thënë se kishte dëgjuar të bërtitura nga të burgosurit.
Dëshmitari i cili mban kodin 1, ka thënë se nuk e di nëse njerëzit janë keqtrajtuar apo jo apo janë bërë vetëm sa për t’i frikësuar ata që sipas tij mbaheshin të ndaluar.
Gjykatësi Biti: Më thatë se i keni dëgjuar këta të burgosurit e tjerë duke bërtitur…mendon se ishin duke bërtitur se po i trajtonin keq apo po ziheshin me njëri-tjetrin, pse po bërtisnin?
Dëshmitari: I kanë keqtrajtuar keq, por për ata nuk e di a është e vërtetë, a kanë luajtur hajgare me na frikësua neve apo çka u kanë në pyetje nuk e di, ndoshta nuk ka qenë asnjë serbë aty, kanë pas me na e qit frikën me na frikësua, me sy të mi nuk i kam parë, zërin ua kam dëgjuar se dritaret i kemi pas pa xhama.
Gjykatësi Biti: Keni parë ndonjë oficer të lartë që të hynte në atë dhomë?
Dëshmitari: Nuk mundesh me pa këtë dhomë pa dalë jashtë, prej 1-shit, 2-shit, 3-shit, pa dalë jashtë nuk ke mundur, është dashur prapa me e parë.
Zhilber Biti e ka pyetur dëshmitarin për fabrikën e metalit dhe dhomat në të cilat pretendohet se janë mbajtur, por vazhdimi i kësaj pyetje u redaktua dhe më pas seanca vijojë e mbyllur për publikun.
Pjetër Shala, i cili ndodhet në bankën e të akuzuarit, ka marrë pjesë në këtë seancë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas Speciales, “krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.