UBT News

Gjykimi drejt fundit, Prokuroria e Hagës insiston që Thaçit t’i vazhdohet paraburgimi

Prokuroria e Specializuar e Hagës po insiston që Hashim Thaçi të mbetet në paraburgim.

Madje, në parashtresën e fundit, Prokuroria ka theksuar se një dënim i mundshëm i gjatë, bëhet më konkret kur gjykimi ka shkuar drejt fundit.

“Thaçi është në dijeni të akuzave të rënda të konfirmuara kundër tij, dënimit të mundshëm me burgim të gjatë që mund të rezultojë prej tyre, dhe tani ka njohuri të plota për provat në lidhje me ato krime. Shqiptimi i mundshëm i një dënimi të gjatë bëhet më konkret me përparimin e shpejtë të gjyqit. Përveç kësaj, Thaçi tani përballet me akuza të konfirmuara në lidhje me veprat penale të pengimit për shkak të provave që janë marrë për përpjekjet e tij për të penguar procedurat në këtë rast dhe për të kryer krime të mëtejshme. Të gjitha sa më sipër duhet të merren në konsideratë në lidhje me gjetjet e mëparshme në lidhje me mjetet e Thaçit për t’u arratisur”, thuhet në parashtresë, raporton Nacionale.

Prokuroria ka vazhduar me argumentet e fjalët e njëjta, pavarësisht se gjyqtarët e kanë kritikuar me dhjetëra herë.

Sipas Prokurorisë, Thaçi ka synim t’i pengojë procedurat.

“Thaçi vazhdon të paraqesë një rrezik jashtëzakonisht të lartë të pengimit të procedurave. Duke konstatuar së fundmi se një rrezik i tillë vazhdon të ekzistojë, ky Panel përsëriti përcaktimin e tij të mëparshëm se Thaçi ka (i) interesin dhe aftësinë për të ndërhyrë në procedura; (ii) u përpoq të minonte DHSK-në dhe ofroi përfitime për personat e thirrur nga ZPS-ja; (iii) një pozicion ndikimi në Kosovë që mund t’i lejonte atij të merrte mbështetjen e simpatizantëve; dhe (iv) njohuri më të mëdha për provat që mbështesin akuzat serioze kundër tij”, thuhet në këtë kërkesë të Prokurorisë.

“Përfundimi i paraqitjes së provave në këtë rast nuk e eliminon këtë rrezik, siç është vënë re nga Paneli, pasi dëshmitarët mbeten në rrezik pengimi edhe pas dëshmisë së tyre”, thuhet më tutje.

Prokuroria pretendon se Thaçi ka shprehur interesim të shpërndajë informacionet konfidenciale, për vizitorë, çka sipas tyre, e vështirëson edhe më tutje procedurën. Aty përmendet, si zakonisht, edhe klima e pretenduar e frikësimit të dëshmitarëve.

“Për më tepër, klima e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-anëtarëve të UÇK-së në Kosovë vazhdon, për të cilën Gjykata e Apelit ka rënë dakord se është një ‘konsideratë kontekstuale’ relevante.46 Gjetje të ngjashme u bënë në Aktgjykimin e Gjyqit Mustafës dhe në çështjen Gucati dhe Haradinaj. Trupi Gjykues në çështjen Gucati dhe Haradinaj konsideroi se “mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje e gjallë dhe kritike në Kosovë”, dhe ia atribuoi dëshminë ekspertit të mbrojtjes Robert Reid, i cili vuri në dukje se, në më shumë se 20 vjet në këtë fushë, ai nuk kishte parë kurrë frikësim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë”, thuhet më tutje.

Fjalët përfundimtare në procesin e krerëve të UÇK-së do të thuhen prej 9 deri më 18 shkurt.

Exit mobile version