Seanca gjyqësore ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është duke vazhduar sot me dëgjimin e dëshmitarëve të paraqitur fizikisht në Gjykatën Speciale. Në fillim të seancës gjyqësore, Salih Mustafa kërkoi të fliste mirëpo gjykatësja nuk ia dha fjalën.
“E nderuara gjykatëse, kisha pasë dëshirë të flas diçka para se t’i dëgjoni dëshmitarët”, tha Mustafa.
Por gjykatësja tha se këtë do të mund ta bëjë në një moment tjetër.
“Në ndonjë moment sot mund t’ua jap fjalën, por tani për tani kemi një program të organizuar për sot. Do të marrim në pyetje dëshmitarin dhe pastaj në një moment të duhur do t’ua jap mundësinë për të thënë atë që doni ta thoni”, tha gjykatësja.
Pas kësaj, ajo e udhëzoi dëshmitarin që të mos gënjejë dhe të mos sajojë gjëra gjatë dëshmisë së tij.
“Dua që të na e tregosh vetëm të vërtetën. Çfarë ke parë, çfarë ke dëgjuar apo çfarë ke ndier vetë. Nëse nuk e ke parë apo dëgjuar vetë, por e ke marrë vesh në një mënyrë tjetër, duhet të na e shpjegosh”, tha gjykatësja, duke nënvizuar: “Të lutëm dëshmo vetëm për ato që mband mend. Mos sajo”.
Gjykatësja po ashtu e informoi dëshmitarin se sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, është vepër penale nëse jep dëshmi të rreme.
“Deklaroj solemnisht se do ta them të vërtetën, të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha ndërkohë dëshmitari i paraqitur.