Dëshmitari në rastin e ish-eprorit të UÇK-së Salih Mustafa ka vazhduar edhe sot dëshminë e tij në seancën e pestë që po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë për këtë rast.
Ai është sfiduar nga kryetarja e trupit gjykues në këtë rast, Mappie Veldt Foglia, me dëshmitë që ka dhënë para UNMIK-ut në vitin 2006 e që rezulton se janë kundërthënëse me dëshminë që ka dhënë në ditët e kaluara.
Gjykatësja e ka pyetur dëshmitarin 03593 nëse ushtarët që kanë qenë në Zllashë, e ku dëshmitari pretendon se është mbajtur në një qendër ndalimi, kanë mbajtur maska.
Dëshmitari ka thënë “jo”, por kryegjykatësja e ka pyetur se pse e ka ndryshuar dëshminë duke i rikujtuar që ai në vitin 2006 kishte deklaruar se një person me maskë i kishte vendosur revolverin, njofton Klankosova.tv.
“Ua bëra këtë pyetje sepse në një moment të caktuar përpara UNMIK-ut në vitin 2006 ju thatë se ‘kishte një person që kishte vënë një maskë që ua vendosi revolverin’”.
Dëshmitari tha se e ka harruar deklaratën e tij të dhënë para disa vitesh, por tani deklaron se s’ka pa asnjë person me maskë.
“Nuk e mohoj, nashta kom thon. Apet po thom nuk besoj që ka pasë maskë. Nuk kom mujt me vrejt a osht me maskë se nuk kom mujt me kqyr”.
“Kam harru çka kom thon, qitash po thom se mendoj që tash nuk e kom pa me maskë”.