Bashkëshortja e lordit meksikan të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman u lut për “mëshirë” në sallën e gjyqit.
Emma Coronel Aispuro u dërgua në Uashington, SHBA, pasi iu lut gjykatësit të qarkut amerikan Rudolph Contreras që të mos tregohej i ashpër me të.
Përmes një përkthyesi, Aispuro tha se i drejtohet trupit gjyqësor me të gjithë respektin e duhur, duke “shprehur keqardhjen e saj të thellë për çdo dëm që mund të kishte bërë”.
“Kërkoj nga të gjithë qytetarët e këtij vendi që të më falin”, u shpreh ajo. 32 vjeçarja shtoi se ajo kishte frikë se gjyqtari mund ta kishte të vështirë ta falte atë sepse ajo është e martuar me El Chapon.
“Ndoshta për këtë arsye ju ndjeni se duhet të jeni më të ashpër me mua, por ju lutem që të mos e bëni këtë”, ka vazhduar ajo.
Coronel u deklarua fajtore në qershor për tre akuza për komplot për shpërndarjen e drogave të paligjshme, komplot për pastrim parash dhe për përfshirje në marrëveshje financiare me kartelin e drogës Sinaloa.
Prokurorët federalë kërkuan që ajo të dënohej me 4 vjet burg, duke thënë se roli i të pandehurës kishte qenë përgjithësisht minimal dhe pas arrestimit të saj, ajo “pranoi shpejt përgjegjësinë për sjelljen e saj kriminale”.
Gjyqtari vendosi t`ia ulte vetëm me një vit dënimin, duke e ndëshkuar me tre vjet heqje lirie./TCH/