Gjykatësi në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e mbrojtjes që të reduktojnë kohën e përcaktuar për paraqitjen e provave dhe pyetjeve të dëshmitarëve, teksa koha për nisjen e gjykimit po afron.
Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, është caktuar për 3 prill. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të akuzuarit po e ndjekin konferencën statusore përmes videolidhjes.
Sipas gjykatësit, nëse i referohen përllogaritjeve të paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, atëherë i bie që do të duhen 6.5 vjet që ZPS-ja të paraqesë provat dhe të marrë në pyetje dëshmitarët, dhe kjo sipas gjykatësit “është e tepërt”.
Vetëm për 12 dëshmitarët e parë, nëse ZPS vepron sipas përllogaritjeve të paraqitura, gjykatësi tha se do të duhet deri në janar të vitit të kaluar të përfundojnë marrjet në pyetje.
Gjykatësi tha se ZPS ka paraqitur 312 dëshmitarë, që i bie 46 dëshmitarë në vit dhe për ta duhen 6.5 vjet për të përfunduar procedurat.
Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se po punon në rishikimin e kohës e paraparë, përfshirë edhe largimin e disa dëshmitarëve.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së tha po ashtu se po koordinohet që nëse dëshmitarët e prokurorisë i referohen vetëm një prej të akuzuarve, ekipet e tjera të mbrojtjes nuk do ta marrin në pyetje.
Ekipi mbrojtës i Thaçit tha po ashtu se vlerësimet kohore të paraqitura për dëshmitarët e mbrojtjes mund të reduktohen, pasi përllogaritjet kohore të paraqitura janë përllogaritjet maksimale.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-eprorët e UÇK-së u arrestuan nëntorin e vitit 2020. Që nga ajo kohë ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Ata dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.