Gjykata Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur sot se ka vendosur për çështjen penale ndaj të akuzuarve L.S, A.S, I.S dhe ndaj një të mituri. I akuzuari L.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej tridhjetë ( 30 ) vite, për veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjykata tutje njofton se i akuzuari A.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vite burgim, për veprën penale Lëndim i lehtë trupor, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa konform nenit 363 paragrafi 1 pika 1.3 të KPP-së, i akuzuari A.S është liruar për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje.
I akuzuari i tretë I.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (vite) e 4 (katër) muaj, për veprat penale Sulmi dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Ndërsa i mituri është shpallur fajtor për veprën penale Lëndim i lehtë trupor dhe gjykata i shqiptoj masën e dërgimit në institucion edukativo-korrektues në kohëzgjatje prej tetë (8) muaj, ndërsa konform nenit 363 paragrafi 1 pika 1.3 të KPP-së, i mituri është liruar për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje.
Themlorja në Prishtinë njofton se të akuzuarve L.S, I.S dhe A.S do iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa të akuzuarit L.S, i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me burgim prej 30 (tridhjetë) vite.
“Detyrohen tre të akuzuarit dhe i mituri që në mënyrë solidare t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të Gjykatës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor secili veç e veç shumën prej nga 500,00 (pesëqind) € (euro), si dhe në emër të kompensimit të Viktimave të Krimit, secili veç e veç të paguajnë shumën prej nga pesëdhjetë (50) € (euro), të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim”, thuhet në njoftim.
“Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko civil.Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, përfundon njoftimi.