Organizata për mbrojtjen e ambientit “Pishtarët“ bën të ditur se Gjykata Supreme përsëri e ka miratuar pezullimin e përkohshëm të lejeve për operimet e hidrocentraleve në Deçan.
Ashtu siç thotë kjo organizatë në Facebook, Gjykata Supreme këtë vendim e ka marrë me argumentimin se operimi i hidrocentraleve mund të shkaktojë dëme të pariparueshme të interesit publik dhe qytetarëve të Deçanit.
Prandaj “Pishtarët“ këtë vendim e kanë cilësuar si “shumë të rëndësishëm për themelet e demokracisë dhe te drejtat e qytetarëve në mbrojtje të interesit publik përballë akterëve të fuqishëm si Kelkosi”.
Kjo organizatë shpreson se ky vendim do të shtyjë Kelkosin dhe zinxhirin e institucioneve të vazhdojnë me transparencë dhe t’i respektojnë të drejtat e qytetarëve të Deçanit në mbrojtje të ambientit.
“Lumbardhi është i popullit dhe askush nuk ka të drejtë të bëjë pazare pas dyerve të mbyllura me ujin dhe jetesën tonë”, thuhet në deklaratën e “Pishtarëve”.