Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së kryeshefit të suspenduar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, për lirimin e tij.
Sipas njoftimit të Supremes, kjo gjykatë e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të Krasniqit.
“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Më 20 prill, Prokuroria Speciale ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Nagip Krasniqit