UBT News

Gjykata suedeze ndalon ekstradimin e gazetarit turk

Gjykata e lartë e Suedisë ka ndaluar ekstradimin e gazetarit turk në mërgim, Bulent Kenes, duke thënë se është i pamundur në këto rrethana.

Turqia po bën presion për kthimin e 55-vjeçarit si një nga kërkesat që duhet përmbushur që Ankaraja të mos vë veto ndaj Suedisë dhe ofertës së Finlandës për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

Çfarë tha gjykata?

Gjykata tha se ekzistojnë “disa pengesa” për ekstradimin e Kenes, ish-kryeredaktorit të gazetës së përditshme Zaman, përfshirë edhe faktin se disa nga akuzat kundër tij nuk konsiderohen krime në Suedi.

Kjo, së bashku me statusin e tij të refugjatit dhe natyrën politike të çështjes së tij, e bëjnë të pamundur ekstradimin, thuhet në njoftimin e gjykatës.

“Ekziston gjithashtu një rrezik persekutimi bazuar në bindjet politike të këtij personi. Ekstradimi nuk mund të ndodhë”, tha gjykatësi Petter Asp në një deklaratë.

Kenes, i cili tani punon për Qendrën e Stokholmit për Lirinë, një organizatë e krijuar nga disidentë të tjerë turq në mërgim, i tha agjencisë së lajmeve AFP se është “i lumtur” me vendimin./UBTNews/

Exit mobile version