Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle ka bërë të ditur se trupi gjykues ka miratuar një urdhër të ri procedural, i cili përcakton afatet dhe udhëzimet për fazat e mbetura të gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykata ka caktuar 19 janarin 2026 si afat përfundimtar që Prokuroria dhe Mbrojtja të dorëzojnë dosjet e tyre gjyqësore.
‘’Trupi Gjykues caktoi gjithashtu 19 janarin 2026 si afat për Prokurorinë dhe Mbrojtjen për të paraqitur dosjet gjyqësore përfundimtare të tyre, dhe për Mbrojtjen e Viktimave për dorëzimin e deklaratës mbi pasojat e krimeve të pretenduara për 155 viktima pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore’’, thuhet në deklaratën e Doyle.
Deklaratat përfundimtare të palëve, sipas zëdhënësit Doyle janë planifikuar të zhvillohen nga 9 deri më 13 shkurt 2026, duke shënuar fundin e pjesës publike të gjykimit.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ku po zhvillohet një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore për vendin dhe po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Sipas aktakuzës, ata ngarkohen me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, por të katër kanë mohuar fajësinë që në paraqitjet e para në gjykatë.
Në njoftimin e fundit të Speciales, bëhet e ditur se gjykatësi Christopher Gosnell ka caktuar 24 shkurtin 2026, për nisjen e procesit gjyqësor kundër Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në çështjen për pengim të drejtësisë.
Bazuar në urdhër, do të zhvillohet një bllok i vetëm deri më 6 mars, gjatë që cilit, do të bëhet paraqitja kryesore e provave nga Prokuroria e Specializuar./S.K/EO/
