Një gjykatë ruse e ka dënuar me gjashtë vjet e 10 muaj burgim shtetasin amerikan Stephen James Hubbard, pasi në një gjyq me dyer të mbyllura e shpalli fajtor për shërbim si mercenar në Ukrainë.
Hetuesitë thanë se Hubbard, 72 vjeç nga Miçigani, u pagua 1.000 dollarë në muaj për të shërbyer në një njësit mbrojtës të ushtrisë ukrainase në qytetin lindor Izum, ku kishte jetuar prej vitit 2014.
Agjencia shtetërore e lajmeve RIA e citoi prokurorin të ketë thënë muajin e kaluar se Hubbard ishte arrestuar nga ushtarët rusë më 2 prill 2022, pak javë pasi Moska i dërgoi mijëra trupa në Ukrainë.
Mediat shtetërore ruse thanë se Hubbard e ka pranuar fajësinë për akuzat. Por, në një intervistë muajin e kaluar, motra dhe e ëma e Hubbardit, si dhe të afërm të tij, hodhën dyshime mbi pranimin e fajësisë nga ai, duke thënë se ai mbante qëndrime proruse dhe se gjasat ishin të vogla që ai të ketë kapur armën në dorë në këtë moshë.
“Ai është shumë jo ushtarak”, tha motra e tij Patricia Hubbard Fox për Reuters muajin e kaluar.
“Ai nuk ka pasur armë kurrë, as revole. Ai është më shumë pacifist”, shtoi ajo.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Moskë tha se janë të vetëdijshëm për arrestimin e një shtetasi amerikan, por nuk dhanë hollësi.
Hubbard është njëri nga së paku 10 amerikanë të burgosur në Rusi. Dy muaj më parë, Moska dhe Perëndimi bënë këmbim të burgosurish, në mesin e të cilëve dhe tre shtetas amerikanë.