Gjykata e Dhomave të Specializuara në Hagë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirim të përkohshëm dhe ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të tij në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara.
Në vendim, gjykata ka arsyetuar se ekziston rreziku që Veseli të pengojë rrjedhën e procedurës gjyqësore, si dhe rreziku për kryerjen e veprave të tjera penale, veçanërisht ndaj dëshmitarëve ose personave të lidhur me rastin. Gjykata gjithashtu vlerësoi se mbyllja e rastit nga Prokuroria nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave që do të justifikonte lirimin e tij.
Tutje, gjykata theksoi se asnjë masë alternative, përfshirë arrestin shtëpiak apo mbikëqyrjen nga Policia e Kosovës, nuk është e mjaftueshme për të zvogëluar këto rreziqe. Paraburgimi i Veselit mbetet i nevojshëm dhe proporcional, pavarësisht kohëzgjatjes së tij.
