UBT News

Gjykata ia vendos drejtorit të VisaMetric masën e dorëzanisë prej 15 mijë eurove

Gjykata Themelore në Prishtinë ka informuar sot se ka caktuar masën e sigurisë kundër të pandehurit S.O, drejtor i VisaMetric, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Siç është bërë e ditur nga gjykata, gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.O e ka refuzuar dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që të njëjtit i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15 mijë euro, si dhe të pandehurit S.O i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta.

“Masa e dorëzanisë të pandehurit i caktohet konform nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 të KPPRK-së. Nëse i pandehuri S.O nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit konform nenit 184 paragrafi 1 të KPPRK-së, si dhe mjetet e deponuara për dorëzani derdhen në fondin e viktimave të krimit, konform nenit 179 paragrafi 1 të KPPRK-së”, është bërë e ditur në komunikatë.

Ndryshe, shtetasi turk, S.O, drejtor i VisaMetric dje është ndaluar për 48 orë.

Exit mobile version