UBT News

Gjykata hedh poshtë kërkesat për pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka hedhur poshtë kërkesat në dy raste të ndara për pezullimin e vendit të rregullatorit të energjisë për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, i cili hyri në fuqi më 1 qershor.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) tha të mërkurën në një komunikatë se është njoftuar nga gjykata se ajo nuk i ka pranuar kërkesat për vendosjen e masës së sigurisë ndaj vendimit të saj.

Kërkesat ishin parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).

Gjykata ka theksuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë promovon konkurrencë më të madhe ndërmjet furnizuesve, nxit presion për çmime më të ulëta dhe shërbim më cilësor për konsumatorët, u mundëson furnizuesve të ofrojnë oferta më të favorshme dhe zbritje dhe rrit efikasitetin në sektorin energjetik”, tha ZRRE.

Ndërkohë, OEK tha se gjykata e nuk e pranoi padinë e saj, e paraqitur në formë grupore kundër vendimit të ZRRE-së, me arsyetimin se legjislacioni i tanishëm nuk lejon mbrojtjen ligjore në mënyrë kolektive.

Ajo tha se ajo ishte padia e pare grupore e ushtruar nga SHPK-ja në emër të gjithë prodhuesve vendor.

Në njoftim tutje thuhet se Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka ushtruar padi në emër të 1.300 bizneseve, “por me hapjen e zyrës së re ligjore në kuadër të OEK-ut, është duke i ndihmuar bizneset në përpilimin e padive, një nga një, në mënyrë individuale”.

Vendimi i ZRRE-së hyri në fuqi më 1 qershor, me gjithë ankesat dhe kundërshtimet.

Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 të punësuar ose një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë në treg të hapur dhe furnizohen me energji me çmime të parregulluara nga shteti.

Më shumë se 1.300 biznese private tashmë janë pjesë e këtij tregu.

Megjithatë, vendimi ka shkaktuar reagime të forta dhe shqetësime të shumta nga komuniteti i biznesit.

Komuniteti i biznesit e ka kundërshtuar vendimin për liberalizimin e tregut, duke e vlerësuar të dëmshëm për shkak të çmimeve të larta që po ofrojnë furnizuesit e licencuar. Ata kanë kërkuar që zbatimi i vendimit të shtyhet për së paku një vit.

Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 21 kompani për furnizim me energji elektrike, ndërsa një tjetër është në proces të licencimit./REL

Exit mobile version