Aktori amerikan Alec Baldwin mund të përballet me një gjykim civil lidhur me incidentin e vitit 2021 në sheshxhirimin e filmit “Rust”, pasi një gjykatës ka vendosur që një padi ndaj tij mund të vazhdojë në gjykim.
Çështja “Rust” është një rast tragjik dhe shumë i diskutuar që ka ndodhur në industrinë e filmit në SHBA gjatë xhirimeve të filmit “Rust” në vitin 2021. Gjatë provave në sheshxhirim, aktori Alec Baldwin po mbante një armë rekuizite (prop gun) për një skenë. Arma u shkrep dhe doli një plumb i vërtetë, duke vrarë Halyna Hutchins dhe duke plagosur regjisorin Joel Souza.
Ngjarja shkaktoi hetime të gjera penale dhe civile, pasi u ngritën pyetje serioze për sigurinë në set dhe mënyrën si u menaxhuan armët e zjarrit gjatë xhirimeve. Baldwin ka deklaruar se nuk ka tërhequr këmbëzën e armës.
Padia është ngritur nga Serge Svetnoy, teknik i ndriçimit në film, i cili pretendon se Baldwin ka qenë neglizhent në rrethanat që çuan në incidentin tragjik.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë në Los Angeles, Maurice Leiter, ka lejuar që pretendimet për neglizhencë dhe shkaktim të qëllimshëm të vuajtjes emocionale të vazhdojnë, ndërsa ka hedhur poshtë akuzën për sulm. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes palëve, gjykimi civil është planifikuar të nisë më 12 tetor.
Baldwin ka mohuar gjithmonë se ka tërhequr këmbëzën e armës. Në vitin 2024, çështja penale ndaj tij u hodh poshtë nga gjykata, pasi u konstatua se prokuroria kishte mbajtur të pa zbuluara prova që mbrojtja duhej t’i kishte pasur në dispozicion. Vendimi e bëri të pamundur rihapjen e akuzave penale ndaj tij.
Çështja “Rust” mbetet një nga incidentet më të diskutueshme në industrinë e filmit në vitet e fundit, duke ngritur debate të gjera për sigurinë në sheshxhirime.
