Në një vendim historik në Gjermani, një ish-kolonel sirian – që drejtonte Drejtorinë e Përgjithshme të Inteligjencës të Sirisë – është dënuar me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit.
Ky është procesi i parë i tillë në botë që lidhet me abuzimet e kryera nga regjimi i Bashar al-Assad.
Anwar Raslan, 58 vjeç, një ish-kolonel që dezertoi 10 vjet më parë, u implikua në vrasjen e dhjetëra njerëzve dhe torturimin e mijërave në një qendër paraburgimi pranë Damaskut.
Vendimi i gjykatës në Koblenz është hapi i parë drejt drejtësisë për shumë sirianë që pësuan abuzime nga qeveria siriane.
Gati 11 vjet pas fillimit të kryengritjes popullore në Siri, gjyqi i Koblenzit ka qenë hera e parë që një gjykatë ka shqyrtuar krimet që i atribuohen regjimit sirian dhe që janë dokumentuar shumë herë nga aktivistë sirianë dhe OJQ.
Prokurorët federalë pretenduan se Raslan ishte oficeri i lartë në krye të burgut dhe mbikëqyrte “torturën sistematike dhe brutale” të më shumë se 4,000 të burgosurve midis prillit të vitit 2011 dhe shtatorit të vitit 2012, duke rezultuar në vdekjen e të paktën 58 personave.
Gjykata dëgjoi prova që implikonin Raslan në 30 prej atyre vdekjeve. Një pjesë kryesore e provave kundër tij ishin fotografitë e viktimave të supozuara të torturës të kontrabanduara nga Siria nga një ish-oficer policie.
Më shumë se 80 dëshmitarë dhanë dëshmi, duke përfshirë viktima të shumta që ekspozuan keqtrajtimin e të burgosurve të lidhur në kushte josanitare në qendrën e fshehtë të paraburgimit – duke përfshirë trajtimin me goditje elektrike, kamxhik dhe rrahje.
Disa dëshmitarë refuzuan të jepnin dëshmi, ndërsa të tjerë u maskuan nga frika e hakmarrjeve kundër të afërmve të tyre ende në Siri./UBTNews/