UBT News

Gjykata evropiane e shpall Rusinë fajtore për shkelje në Ukrainë dhe për rrëzimin e avionit civil MH17

Gjykata më e lartë evropiane për të drejtat e njeriut ka vendosur se Rusia ishte përgjegjëse për shkelje të mëdha të së drejtës ndërkombëtare në Ukrainë, përfshirë edhe rrëzimin avionit të fluturimit MH17 të Malaysia Airlines në vitin 2014.

Kjo është hera e parë që një gjykatë ndërkombëtare e mban zyrtarisht Moskën përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të njeriut që lidhen me konfliktin në Ukrainë.

Të mërkurën, gjyqtarët e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut shpallën aktgjykime për katër raste të ngritura nga Ukraina dhe Holanda kundër Rusisë që nga fillimi i konfliktit në vitin 2014.

Akuzat përfshijnë vrasje, torturë, përdhunim, shkatërrim të infrastrukturës civile, rrëmbim të fëmijëve ukrainas dhe rrëzimin e avionit të udhëtarëve të Malaysia Airlines, fluturimi MH17, nga separatistë ukrainas që mbështesin Rusinë.

Duke i lexuar aktgjykimet në një sallë të mbushur gjyqi në Strasburg, presidenti i gjykatës, Mattias Guyomar, tha se forcat ruse kanë shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar në Ukrainë duke kryer sulme që “vranë dhe plagosën mijëra civilë dhe krijuan frikë e terror”.

Gjykatësit gjetën se shkeljet e të drejtave të njeriut tejkaluan çdo synim ushtarak, dhe Rusia përdori dhunën seksuale si pjesë të një strategjie për ta thyer moralin ukrainas, tha gjyqtari francez.

Përdorimi i përdhunimit si armë lufte ishte një akt mizorie ekstreme që përbënte torturë”, u shpreh Guyomar.

Ankesat ishin paraqitur para se trupi drejtues i gjykatës ta përjashtonte Moskën në vitin 2022, pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës.

Megjithatë, vendimet kanë më shumë vlerë simbolike, pasi Moska ka theksuar se nuk do t’i njohë ato.

Nuk do ta respektojmë këtë, e konsiderojmë të pavlefshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një bisedë me gazetarët të mërkurën.

Familjarët e viktimave të katastrofës së MH17 e konsiderojnë vendimin si një hap të rëndësishëm në kërkimin e drejtësisë që prej 11 vjetësh.

Është një hap i vërtetë për të kuptuar se kush ishte vërtet përgjegjës”, tha për Associated Press Thomas Schansman, i cili humbi djalin e tij 18-vjeçar, Quinn, në atë tragjedi.

Avioni Boeing 777 që po fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur u qëllua më 17 korrik 2014 me një raketë Buk të prodhimit rus, e lëshuar nga një territor në Ukrainën lindore të kontrolluar nga rebelë separatistë.

Që të gjithë 298 udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit humbën jetën, përfshirë 196 qytetarë holandezë.

Në maj, agjencia e OKB-së për aviacionin e shpalli Rusinë përgjegjëse për rrëzimin e avionit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është pjesë e rëndësishme e Këshillit të Evropës, institucioni më i lartë për të drejtat e njeriut në kontinent.

Rusia u përjashtua nga ky këshill për shkak të pushtimit dhe luftës në Ukrainë. Megjithatë, gjykata akoma mund t’i trajtojë raste kundër Rusisë që datojnë para përjashtimit të saj.

Në vitin 2023, gjyqtarët i dhanë të drejtë Ukrainës dhe Holandës në një sfidë për juridiksionin, duke gjetur prova të mjaftueshme që zonat në Ukrainën lindore të kontrolluara nga separatistët ishin “nën juridiksionin e Federatës Ruse”, përfshirë sigurimin e armëve dhe mbështetjen politike e ekonomike./REL

Exit mobile version