”European Court of Justice” (EJC) apo Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka urdhëruar Hungarinë të paguajë një gjobë prej 200 milionë eurosh (216 milionë dollarë) dhe një milion euro shtesë në ditë për moszbatimin e vendimeve të mëparshme që synonin ndryshimin e politikave të saj të azilit.
Vendimi vjen pas një vendimi të mëparshëm të gjykatës në dhjetor 2020 në lidhje me procedurat për dhënien e mbrojtjes ndërkombëtare dhe riatdhesimin e shtetasve të vendeve të treta.
Sipas një njoftimi për shtyp nga gjykata, ”moszbatimi i këtij vendimi përbën një shkelje të paprecedentë dhe jashtëzakonisht të rëndë të ligjit të BE-së”.
Gjyqtarët vendosën se ”Hungaria nuk ka marrë masat e nevojshme për të respektuar vendimin e vitit 2020 në lidhje me aksesin në procedurën e mbrojtjes ndërkombëtare, të drejtën e aplikantëve për mbrojtje ndërkombëtare për të qëndruar në Hungari në pritje të vendimit përfundimtar mbi ankesën e tyre kundër refuzimit të kërkesës së tyre dhe largimin e shtetasve të vendeve të treta me qëndrim të paligjshëm”./UBTNews/