Gjykata Themelore në Tetovë ka marrë një vendim që Ziadin Sela është kryetari legjitim i Aleancës për Shqiptarët dhe se vulat e partisë i takojnë atij. Sipas këtij vendimi, kërkesa për ndryshimin e kryetarit nga Arben Taravari tek Ziadin Sela është e ligjshme dhe është miratuar në përputhje me statutin e partisë. Vendimi i gjykatës vërteton se Kongresi i 4-të i jashtëzakonshëm ka zgjedhur Ziadin Selën si kryetar të ri të partisë.
Në anën tjetër, krahu i Arben Taravarit ka reaguar duke deklaruar se vendimi është një interpretim i njëanshëm dhe se Taravari është kryetari legjitim i Aleancës për Shqiptarët, mbështetur nga shumica e anëtarëve të partisë. Ata kanë shprehur besimin se Gjykata e Apelit do ta vlerësojë ndryshe këtë çështje dhe do të përfundojë në favor të Taravarit.
Përplasjet brenda partisë janë thelluar pas zgjedhjeve të vitit 2024, ku dy grupet e Aleancës për Shqiptarët garuan në koalicione të ndryshme, me Taravarin duke u bashkuar me opozitën dhe Selën që mbështeti një front tjetër. Kjo ka çuar në ndarjen e partisë në dy grupe dhe një proces gjyqësor të vazhdueshëm për vendosjen e liderit legjitim të partisë./UBTNews/