Gjykata Qendrore e Qarkut të Seulit ka vendosur sot lirimin nga paraburgimi të presidentit të akuzuar të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, duke i mundësuar atij të mbrohet nga liria gjatë procesit gjyqësor kundër tij. Vendimi erdhi pas një kërkese nga ekipi i tij ligjor, i cili argumentoi se mbajtja e tij në paraburgim ishte e paligjshme.
Yoon Suk-yeol ishte arrestuar më 15 janar dhe mbahej në një qendër paraburgimi në Uiwang, në jug të Seulit, pas akuzave për nxitje të rebelimit. Ai dyshohet se shpalli gjendjen ushtarake më 3 dhjetor të vitit të kaluar, por u detyrua ta anulonte vendimin pas disa orësh, për shkak të kundërshtimit të parlamentit.
Sipas mbrojtjes, aktakuza ndaj tij, e ngritur më 26 janar, ishte e paligjshme, pasi u dorëzua një ditë pas skadimit të paraburgimit të mëparshëm. Megjithatë, prokuroria e kundërshtoi këtë pretendim, duke argumentuar se afati llogaritet në ditë dhe jo në orë apo minuta, siç pretendoi ekipi i Yoon Suk-yeol.
Ndërkohë, procesi kundër ish-presidentit vazhdon, ndërsa ai do të përballet me akuzat jashtë qelisë, në pritje të një vendimi përfundimtar të drejtësisë koreane./UBTNews/