UBT News

Gjykata e Bosnjës shpall sot vendimin për Dodikun

Gjykata e Bosnje-Hercegovinës do të shpallë të mërkurën, më 26 shkurt, aktgjykimin për presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, të cilët akuzohen për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

Pas një procesi gjyqësor, që ka zgjatur më shumë se një vit, Gjykata e Bosnjës do të shpallë aktgjykimin e shkallës së parë, ndaj të cilit Prokuroria e Bosnjës dhe mbrojtja do të kenë të drejtë ankese.

Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.

Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.

Dodik, në fjalën e tij përfundimtare, tha se “të gjithë bashkë duhet të luftojmë që Bosnje-Hercegovina të mos jetë më një protektorat, por të rikthejë sovranitetin e saj”.

Exit mobile version