Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për shtetasin shqiptar, Lulzim Halili, i arrestuar më 22 korrik nga autoritetet serbe në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra larg kryeqytetit serb.
Sipas mediave në Serbi, Halili dyshohet për përfshirje në “organizim dhe nxitje të kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”. Pas arrestimit, ai është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të Svilajnacit.
Nga ana tjetër, autoritetet kosovare shprehen se nuk janë informuar zyrtarisht për zhvillimet rreth këtij rasti. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës bëri të ditur se, deri më tani, nuk ka marrë informacione nga pala serbe në lidhje me arrestimin dhe akuzat ndaj Halilit.
“Sapo të konfirmohet nëse Halili do t’i nënshtrohej masës së paraburgimit dhe do të iniciohet procedurë penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes” thuhet në një njoftim nga MPJD.
Rasti ka ngjallur shqetësime lidhur me të drejtat e të arrestuarit dhe transparencën e autoriteteve serbe në raport me institucionet kosovare.