Për shumë shekuj, njerëzit flinin në dy periudha të ndara gjatë natës. Ata shkonin në shtrat pas perëndimit të diellit, zgjoheshin rreth mesnatës e flinin sërish deri në agim.
Ky model gjumi, i dokumentuar në Evropë, Azi dhe Afrikë, përfaqësonte një pushim natyror dhe ndryshonte perceptimin e kohës, duke bërë netët më të përballueshme, veçanërisht gjatë dimrit.
Gjatë intervalit të mesnatës, njerëzit kryenin punë të thjeshta si ndezja e zjarrit apo kujdesi për bagëtinë, ose e shfrytëzonin kohën për lutje, reflektim, lexim, shkrim apo shoqërim me familjen dhe partnerin.
Ky ritëm natyror zgjati shekuj, derisa revolucioni industrial dhe përdorimi i ndriçimit artificial e ndryshuan atë.
Shfaqja e llambave me vaj, gaz dhe më pas e dritës elektrike, zgjati kohën që njerëzit qëndronin zgjuar dhe vonoi sekretimin e melatoninës, duke shtyrë fillimin e gjumit. Në shekullin XX, ritmi i ri i jetës dhe puna në turne fabrika sollën një gjumë të pandërprerë gjatë natës.
Megjithatë, studimet tregojnë se kur njerëzit kthehen në kushte pa dritë artificiale dhe pa orë, ata shpesh rikthehen tek gjumi me dy faza. Po kështu, disa komunitete bujqësore pa energji elektrike, si në Madagaskar, zgjojnë natyrshëm rreth mesnatës. Drita gjithashtu ndikon në perceptimin e kohës: në dhoma të errëta, koha duket sikur kalon më ngadalë, një efekt që theksohet edhe kur jemi në humor të keq.
Si të menaxhojmë zgjimet natën
Zgjimet gjatë natës nuk janë shenjë shqetësimi; ato ndodhin natyrshëm gjatë kalimit nga një fazë gjumi në tjetrën. Problemi shpesh qëndron në reagimin tonë. Shikimi i orës mund të rrisë ankthin, duke bërë disa minuta të duken si përjetësi.
Ekspertët këshillojnë që, nëse nuk mund të flini më shumë se njëzet minuta, të ngriheni, të ulni ndriçimin dhe të lexoni diçka qetësuese, duke u kthyer në shtrat vetëm kur ndjeni përgjumje.
Pranimi i këtyre ndërprerjeve si pjesë e ritmit natyror mund të ulë stresin dhe të lehtësojë rikthimin në gjumë. /A.Z/UBT News/
