Sot, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, do të dorëzohen padi ndaj disa zyrtarëve të lartë për përdorimin e ofendimeve dhe gjuhës urrejtëse ndaj rastit të Faton Hajrizit. Këtë e bëri të ditur avokati Gent Gjini, i cili po përfaqëson familjen Hajrizi.
Paditë pritet të dorëzohen në orën 13:30. Avokati Gjini theksoi se përdorimi i fjalës “kriminel” është arsyeja kryesore për këtë veprim ligjor.
“Fjala kriminel na ka shtyrë të procedojmë me paditë për shpifje dhe ofendim, ku zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kryeministri, deputeti Arber Rexha, dhe ministrja e Drejtësisë kanë përdorur shprehje joetike dhe fyese ndaj familjes Hajrizi,” deklaroi Gjini.
Në momentin e dorëzimit të padive, pritet të jetë i pranishëm edhe Artani, vëllai i Faton Hajrizit. Më 19 korrik, Faton Hajrizi u vra në Lloznicë të Serbisë, një ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta dhe shqetësime në opinionin publik.