Dy persona janë plagosur mbrëmë rreth mesnate në Pejë, si pasojë e një shkëmbimi me armë zjarri. Këtë e ka konfirmuar për UBT NEWS, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova. Ai tha se rasti ka ndodhur rreth orës 23:20, në rrugën “Sak Fazlija”, derisa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes sapo kanë pranuar informatën.
Sipas tij, dy personat e lënduar janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa njëri prej tyre për shkak të lëndimeve më të rënda është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosoves në Prishtinë.
Rugova shtoi se në këtë incident dyshohet se kanë qenë të përfshirë nëntë persona, shtatë nga të cilët janë arrestuar, derisa dy prej tyre janë ende në arrati. Ndryshe, ky rast sipas tij është cilësuar si tentim vrasje e rëndë./UBTNews