Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani po i mohon të drejtën PDK-së që të ketë anëtarin e dytë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas PDK-së, presidentja po synon që të dërgojë në KQZ për anëtare një ish-bashkëpartiake të saj e cila ishte kandidate për deputetë nga Lista “Guxo”.
Betim Gjoshi nga PDK në një konferencë për media ka deklaruar se nëse presidentja nxjerr dekretin për kompletimin e anëtarëve të KQZ-së pa një anëtarë të dytë nga PDK atëherë do të ankohen me te gjitha rrugët ligjore.
“Presidentja përfaqëson unitetin dhe garanton funksiononin kushtetues. Por presidentja po vepron në kundërshtim të plotë me detyrimet që i jep Kushtetuta e vendit. Vepron nën diktatin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe si drejtuese e iniciativës qytetare Lista ‘Guxo’. Osmani është vënë në shërbim të plotë të partisë në pushtet. Zonja Osmani po e luan rolin e parashkruar nga kryetari i VV-së si notere. Duke ju bindur Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, zonja Osmani po bënë shkelje, duke i pamundësuar PDK-së edhe një anëtar në KQZ. Po tenton që t’i bëjë një vend në KQZ anëtarit të tretë të VV-së, Gresa Bytyqi-Kelmendi nga Lista ‘Guxo’, ish kandidate për deputete”, ka thënë Gjoshi.
Gjoshi mes tjerash tha se anshmëria politike e presidentes Osmani është e rrezikshme për demokracinë.
“Anshmëria politike e presidentes, është e rrezikshme për demokracinë dhe funksionimin e institucioneve të pavarura. Besojmë fuqishëm në Gjykatën Kushtetuese dhe do të pamundësojë këtë lojë të shëmtuar politike. Presim nga zonja Osmani të emërojë anëtarin tonë të dytë. Nëse nuk ndodh dhe nxjerrët dekreti atëherë do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për ankim”, ka shtuar ai.