Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka dhënë informacionet e fundit për gjendjen e të lënduarve nga aksidenti në Kroaci. Ai thotë se nga komuna e Gjakovës në gjendje të rëndë janë 2 persona, për gjendjen e të cilëve pret të informohet çdo moment.
Gjini tregon sesi komunë po u qëndrojnë afër familjeve të viktimave, teksa thotë se presin që të përshpejtohet procedura e ardhjes së trupave të pajetë në Kosovë.
“Sot i kam vizituar familjet e viktimave. I kemi edhe 2 persona të cilët janë në gjendje të rëndë atje dhe po presim me marrë informacione. […] I kemi pasur 2 ditë të vështira, humbjet janë të mëdha në njerëz aq më tepër kur pas një kohe të gjatë të mungesës të takimeve me familjarët e vet disa prej bashkatdhetarëve tanë e kanë gjetur vdekjen. Mirëpo, ajo çka po provojmë të bëjmë tash është që të jemi sa më afër familjeve dhe të shpresojmë që ata që janë lënduar të kthehen sa më parë pranë familjeve të veta”, tha ai.
Ai shpreh mirënjohje për kujdesin dhe ndihmën që autoritet kroate kanë dhënë për të lënduarit nga aksidenti në këtë vend. Megjithatë ai shtoi se duhet të priten lajmet zyrtare për gjendjen e tyre.
Sesa të lënduar janë nga komuna e Gjakovës, Gjini thotë se nuk kanë informata, pasi ende ka procedura tjera që po i kryejnë autoritetet atje.
“E dimë që është procedurë kthimi i kufomave, por është tepër me rëndësi në aspektin humanitar që trupat e pajetë të kthehen sa më parë në Kosovë në mënyrë që familjet e viktimave të mos jetojnë edhe më gjatë në këtë lloj ankthi edhe pa i varrosur viktimat. Po shpresoj që këto procedura të përshpejtohen në mënyrë që familjet të mos presin gjatë”, u shpreh ai.
Ditën e diel, në një aksident në Kroaci kanë mbetur të vdekur 10 bashkatdhetarë, të cilët ishin nisur për pushime tek familjet e tyre në Kosovë. Shumë nga udhëtarët mbetën të lënduar, teksa trupat e personave të pajetë pritet që të vijnë në vend.