Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ngritur shqetësimin për, siç ka thënë, infiltrimin e shërbimeve sekrete të huaja në institucionet e Kosovës dhe ndikimin e tyre në zhvillimet politike e shoqërore në vend.
Në një reagim në Facebook, Gjini është shprehur se kjo dukuri është bërë tashmë evidente, duke iu referuar edhe rasteve të personave të arrestuar nën dyshimet për spiunazh.
Sipas tij, persona të dyshuar për lidhje me shërbime të huaja kanë pasur qasje në nivele të larta të institucioneve të Kosovës dhe kanë ndikuar në dobësimin e shtetit dhe demokracisë.
Gjini ka thënë se ndikimi i këtyre rrjeteve shtrihet edhe përmes propagandës dhe rrjeteve sociale. Ai ka përmendur si qëllime të mundshme fragmentimin e shoqërisë, dëmtimin e figurave dhe historisë kombëtare, pengimin e zhvillimit ekonomik dhe dëmtimin e marrëdhënieve me vendet mike.
Në fund, kryetari i Aleancës ka ngritur pyetjen se sa persona të tjerë mund të jenë të dyshuar për lidhje me shërbime të huaja dhe të kenë mbajtur pozita të rëndësishme shtetërore.
Reagimi i tij vjen pas arrestimit të Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh dhe për bashkëpunim me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA)./A.K/
