UBT News

Gjini: Dështimi i konstituimit po bëhet për të shkuar në zgjedhje më 27 dhjetor

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se dështimi i së mërkurës për konstituimin e Kuvendit ka ndodhur, sipas tij, me qëllim që procesi të zvarritet përtej 13 shtatorit dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme më 27 dhjetor.

Në një konferencë për media pas seancës konstituive, e cila pritet të vazhdojë të premten, Gjini e ka cilësuar zhvillimin e sotëm si “maskaradë për të blerë kohë”.

Ai ka thënë se Albin Kurti, me apo pa koordinim me Listën Serbe, po e zhvillon agjendën e tij politike në mënyrën që i konvenon.

“Kushedi për të satën herë, me apo pa koordinim Lista Srpska ndihmon që Albin Kurti të zhvillojë agjendën e vet ashtu siç i konvenon. Kjo që ka ndodhur sot është maskaradë për të blerë kohë, të zvarritet krijimi i institucioneve të Kosovës”, ka thënë Gjini.

Sipas tij, synimi është që të arrihet data 13 shtator, pas së cilës, sipas llogaritjeve të tij, mund të krijohen kushtet për zgjedhje më 27 dhjetor.

Gjini ka pretenduar se kjo datë mund të jetë e favorshme për Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të pjesëmarrjes më të madhe të diasporës në votime.

Ai ka kritikuar gjendjen në vend, duke thënë se qytetarët në Kosovë kanë humbur besimin te pushteti dhe se zgjedhja e 27 dhjetorit lidhet me synimin për të kompensuar votat e humbura brenda vendit përmes votës së mërgimtarëve.

Ndërkaq, Gjini ka bërë të ditur se Aleanca nuk do të marrë pjesë as në vazhdimin e seancës së premtes.

“Në seancën e të premtes nuk do të marrim pjesë. Nuk mund të marrim pjesë sepse është e jashtëligjshme, jashtëkushtetuese. Është farsë. Nuk ka për qëllim themelimin e institucioneve”, ka deklaruar ai.

Gjini ka përsëritur se, sipas tij, qëllimi i zvarritjes së procesit është arritja e datës 13 shtator dhe krijimi i mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja më 27 dhjetor./A.K/

Exit mobile version