UBT News

Gjilani sot do ta pranojë aparatin RT-PCR

Gjilani pritet ta pranojë sot gjatë ditës aparatin RT-PCR për t’i punuar mostrat për COVID-19. Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik (QRSHP) në Gjilan, Dr. Ajhane Sefiu, në mbledhjen e Komitetit të Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“E kam një lajm të mirë për qytetarët e Gjilanit se sot na vjen aparati për RT-PCR, i cili besojmë se shumë shpejtë do të aktivizohet dhe mostrat që i marrim do t’i punojmë tashmë në QRSHP”, ka thënë Sefiu, në një konferencë.

Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Ukshin Ismaili, ka bërë të ditur se aktualisht janë duke u trajtuar 51 pacientë me oksigjeno-terapi, duke shtuar se tash për tash nuk ka mungesë oksigjeni.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Dr. Arbenita Hajdari, tha se brenda ditës ekipet e tyre po i bëjnë afro 65 vizita nëpër shtëpi tek pacientët e prekur me COVID-19. Ajo bëri të ditur, po ashtu se kanë pranuar 7 mijë e 500 doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat po shpërndahen në mënyrë racionale, duke u bërë thirrje të gjithëve që kanë nevojë, t’iu drejtohen qendrave të mjekësisë familjare.

Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemajli, e ka paraqitur gjendjen e përgjithshme, e cila është si vijon: nga 6 mijë e 882 mostra, 2 mijë e 709 raste pozitive, 2 mijë e 278 të shëruar, 352 raste aktive, 79 të vdekur, të hospitalizuar të konfirmuar me COVID-19 janë 72, ndërkaq mostra në pritje janë 134./UBTNews

Exit mobile version