UBT News

Gjilani pranon mbi 600 vaksina antiCOVID

Komuna e Gjilanit ka pranuar sot 640 doza të vaksinës AstraZeneca. Kryetari i komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se prioritet janë personat mbi moshën 70-vjeçare, të cilët janë regjistruar, por që nuk janë vaksinuar akoma.

“Ekipet e vaksinimit do t’i kontaktojnë qytetarët mbi moshën 70-vjeçare sipas planit dinamik të vaksinimit. Ndërkaq, kërkojmë nga qytetarët mbi moshën 65-vjeçare që të fillojnë të regjistrohen për vaksinim në qendrat më të afërta të mjekësisë familjare. E kemi bërë planin që të mos shkaktohet tollovi në këtë proces të ruajtjes së shëndetit publik”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Gjilanit bëri të ditur se vaksinimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ramiz Cernica”, në rrugën “Pajazit Ahmeti” (afër tregut të rërës).

Komuna njofton se në fazën e parë janë vaksinuar 1 mijë e 377 qytetarë, përkatësisht të moshës mbi 75-vjeçare, përfshirë edhe punëtorët shëndetësorë.

Që nga fillimi i pandemisë komuna e Gjilanit ka regjistruar 6 mijë e 373 raste pozitive nga testimi i 20 mijë e 916 mostrave. 6 mijë e 146 pacientë janë shëruar, 144 kanë vdekur, 83 raste janë aktive, 23 persona janë të hospitalizuar, kurse 61 mostra janë në pritje për rezultat./UBTNews

Exit mobile version