Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ai i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, pas marrëveshjes së binjakëzimit, kanë deklaruar se këto dy komuna janë shembulli më i mirë i bashkëpunimit ndërkufitar për 17 vite.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi falënderoi kryetarin Dimitriesvki për bashkëpunimin, tha se në të ardhmen do t’i integrojnë edhe më shumë aktivitetet ekonomike, kulturore e arsimore.
“Bashkëpunimi ynë ndërkufitar ka kulmuar me hapjen e vendkalimit kufitar, për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Komunikimi i njerëzve, familjeve, ekonomisë dhe biznesit, është synimi ynë. Besojmë shumë që do ta kemi edhe mbështetjen e dy qeverive tona, Prishtinës dhe Shkupit. Besojmë shumë që mikro-regjioni europian, ku përfshihet Presheva, Bujanoci dhe 17 komunat tjera, do të zhvillohet shumë si shembull i mirë i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor”, tha Haziri.
Kurse, kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, pasi e falenderoi Hazirin për bashkëpunimin 17-vjeçar, tha se ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në atë regjional.
“Jemi dy komuna në zonë kufitare, kemi aplikuar me një numër të madh të projekteve të përbashkëta, të cilat veçse jemi duke i implementuar. Pra bëhet fjalë për tri projekte të përbashkëta. Njëra nga nismat kryesore të të partneritetit dhe miqësisë sonë është hapja e vendkalimit kufitar që tashm është bërë realitet”, tha ai./UBTNews