Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me duhan mbrëmjen e së mërkurës në rrugën Stançiq-Gjilan.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se fillimisht është identifikuar një automjet BMW me targa vendore për të cilin njësitët e Task Forcës ‘DRK – Lindje’ kishin informacione se merret me kontrabandë të mallrave nga Maqedonia e Veriut.
“Me datën 05.07.2023 rreth orës 22:00 në rrugën Stançiq-Gjilan është identifikuar një automjet BMW me targa vendore për të cilin njësitet e Task Forcës–DRK-Lindje kishin informacion se merret me kontrabandim të mallrave nga republika e Maqedonisë veri në Republikën e Kosovës. Automjeti i lartcekur është arrit të ndalohet në hyrje të Gjilanit dhe gjatë kontrollit në ulëset e prapme dhe në bagazh të veturës kishte të ngarkuar (25) thasë duhan të përpunuar me peshë rreth 250 kilogram dhe për të cilin mall nuk posedonte asnjë dokument mbi prejardhjen, andaj dyshohet për kontrabandë”, thuhet në komunikatë.
Bëhet e ditur se, lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli është dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme.